Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të ftohet javën e ardhshme për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Megjithatë, kërkesa e Musliut nuk u miratua, ndërsa kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, bëri të ditur se drejtori i Policisë do të raportojë pas katër javësh, për çështjet që kanë ngritur shqetësime te deputetët.
Musliu tha se, pas dilemave të ngritura lidhur me rastin, komisioni duhet ta dëgjojë Policinë e Kosovës për të kuptuar se si janë zhvilluar veprimet institucionale.
“U ngritën shumë dilema, konsideroj qe si komision duhet ta ftohmë policinë, ti dëgjojmë çka kanë me na thënë lidhur me rastin. Nëse del se nga ana policisë ka shkuar gjithçka në rregull duhet t’i heqim dilemat. Shumë e domosdoshme është që të zbardhet rasti. Konsideroj si komision na takon me dëgjua rrëfimin nga policia e Kosovës”, tha ajo.
Ajo këmbënguli që drejtori i Policisë të ftohet në mbledhjen e javës së ardhshme, duke theksuar se kërkesa e saj nuk synon të fajësojë Policinë, por të sqarojë rrethanat e rastit.
“Unë kërkoj që javën tjetër sot një javë të ftohet drejtori i policisë së Kosovës dhe të raportoj për vrasjen. Pa drejtuar gishtin nuk po tentoj ti kë faj unë po dua ta mbroj policinë. Ne mundemi me thirr edhe Inspektoratin Policorë pastaj. Propozimi im është shumë i qarte, ju caktojeni”, kërkoi ajo.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se për rastin do të ketë edhe komision hetimor, i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryej punën e vet. Ai komision do të zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën nëse ka pasur ne rastin e të ndjerës. Për çështjen në kampin e Vrelles, nuk është rrezikua asgjë aty dhe se në atë pjesë të kampit janë realizuar intervista të ndryshme dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik. Unë besoj se drejtori i policisë do të raportoj muajin e ardhshëm”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, tha se rasti i Arlinda Zekajt dhe rastet e tjera të dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Na ka tronditur jo vetëm ky rast por të gjitha rastet edhe sot të dhunës në familje. Janë të evidetushme dhe të pafalshme se si trajtohet gruaja në familje shqiptare. Nga ky komision ju bej thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese dhe të gjitha atyre që kanë të bëjnë me çështje sociale të merren me këto tema, mos të mbetet faji te gruaja apo policia e prokuroria…secili nga pak atëherë rrumbullakësohet puna e gjithë secili pantohem që policia duhet të vij dhe të raportoj”, tha selimi.
Në fund, Bajqinovci përsëriti se drejtori i Policisë do të raportojë pas katër javësh.








