Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj më 30 dhjetor 2025 ka parashtruar kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla.
Ndërsa, më 22 janar 2026, sipas gjyqtares, mbrojtësi i Granit Plavës, avokati Skender Gojani, ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë për gjendjen psikike të Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
Lidhur me propozimin e avokatëve Dodaj dhe Gojani, prokurorja Javorka Perlinçeviq përmes parashtresës ka deklaruar se këto propozime ia lë gjykatës të vendosë.
Kurse, për propozimet e mbrojtjes së Murselit, prokurorja theksoi se ka parë se kanë propozimet për prova shtesë më 27 janar 2026. Tha se më 22 dhjetor 2025, Gjykata të gjitha palëve ua ka dhënë mundësinë që propozimet për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më 9 janar 2026.
Prokurorja tha se konsideron që ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe se nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës, andaj duhet refuzuar.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leonard Ademaj, avokati Leotrim Syla kundërshtoi rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me arsyetimin se është zvarritje e procedurës.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, refuzoi propozimin e mbrojtjes për plotësim të provave. Pra, u refuzua propozimi i avokatit Dodaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nk është relevante dhe nuk kontribuon në ndriçimin e çështjes. Gjithashtu, u refuzua propozimi i avokatit Gojani, me arsyetimin se është propozim i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.
Ndërkaq, propozimin e mbrojtjes së Murselit e refuzoi për arsye se vlerësoi se janë elaboruar provat mjaftueshëm, andaj bazuar në parimin e efikasitetit, këto propozime u refuzuan për të vazhduar me dëgjimin e Murselit.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.









