Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk duhej të themelohej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi, sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka kryer krime.
“UÇK dhe ushtarët e saj po luftonin për Liri e Çlirim”, ka shkruar Durmishi në një postim në Facebook.
Tutje, ai ka theksuar:
“Serbia bëri krim kundër njerëzimit e gjenocid mbi popullin e Kosovës. Ne luftuam në vendin tonë, kundër një agresori që bëri krime makabre duke vrarë e masakruar pleq, gra e fëmijë.”
Durmishi ka shtuar se Gjykata Speciale është e padrejtë që në themelimin e saj:
“Çlirimtarët nuk do të duhej të gjykohen fare, sepse lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare. Po të dëgjohej zëri ynë atëherë, nuk do të dëgjonim sot prokurorë që deformojnë historinë dhe të vërtetën tonë.”
Ai ka përmbyllur reagimin duke thënë:
“Ne ishim kundër Gjykatës Speciale para se ajo të ndodhte, ishim kundër edhe kur ajo ndodhi, e jemi kundër edhe sot. E ata që e votuan së paku do të duhej të pendoheshin e të kërkonin falje sot.”







