Raporti i publikuar për Indeksin e Lirisë së Shprehjes i publikuar nga Reporterët pa Kufij, ku Kosova për vitin 2024 ka shënuar rënie për 24 pozita ka ngjallë reagime të mëdha në vend.
Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut. Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur. Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.
Aty përmenden edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.
1 PDK e LDK akuzojnë qeverisjen e LVV-së
Për këtë raport PDK e LDK kanë akuzuar qeverinë Kurti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, rënien e Kosovës në vendin e 99-të në raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shprehjes, e ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje për regjim linçimi dhe frikësimi.
Deliu-Kodra, në një konferencë për media, ka thënë se kjo është një nga momentet më të errëta në historinë e shtetit të Kosovës.
“Sot, të dhënat e publikuara nga Reporterët pa Kufij e rendisin Kosovën në vendin e 99 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes. Kjo është renditja më e ulët në historinë e Kosovës. Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi 56 në vitin 2023, në vendin 75 në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes. Ata që erdhën në emër të ndryshimit, po e katandisin Kosovën në vend të frikës dhe heshtjes. Këtë rënie e kemi ndjerë të gjithë. E kanë ndjerë gazetarët që janë sulmuar. E kanë përjetuar qytetarët që janë linçuar. E kanë përballuar aktivistët dhe profesionistët që janë shpifur publikisht vetëm pse guxojnë të mendojnë ndryshe. Rënia e nivelit të lirisë së mediave, nuk është rrëshqitje por rrënim i qëllimshëm. Vetëvendosje ka ndërtuar një regjim linçimi dhe frikësimi. Sulme të koordinuara, të orkestruara, me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale”, theksoi ajo, thuhet në komunikatën e PDK-sw.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se rënia e Kosovës për 24 vende sa i përket lirisë së medias është pasojë direkte e qeverisjes.
Në një komunikatë për media përmes së cilës kjo parti ka shprehur shqetësimi për të dhënat publikuara nga Reporterët pa Kufij, ka treguar tendenca për ndërhurje në punën e gazetarëve.
“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura. Për më tepër, gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave. Kjo klimë e pasigurisë dhe frikësimit ka krijuar një ambient ku vetëcensura po bëhet normë, duke rrezikuar seriozisht të drejtën e qytetarëve për informim të lirë dhe të paanshëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.
2 LVV: Qeveria Kurti më transparentja
Shefi i kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar pas publikimit të raportit për lirinë e shprehjes i publikuar nga Reporterët pa Kufij, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie për 24 vende.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti është prej qeveria më të hapura që ka pasur Kosova, duke harruar se Indeksi për Liri të Shtypit tregon se Kosova ka rënë për 24 vende për këtë vit.
Derisa ka kritikuar qeveritë paraprake për raportet me mediat, ai ka thënë se kryeministri Kurti ka nivel të lartë të komunikimi me publikun në rrjete sociale.
“Qeveria Kurti është qeveria më e hapur ndaj mediave, e vetmja që nuk ka shpenzuar miliona për propagandë, që nuk i ka blerë apo heshtur mediat përmes kontratave njëburimore. Qeveria aktuale nuk ka investuar në heshtje mediatike, por në rritje të transparencës. A është kjo “sulm ndaj medias”? Apo është sfidim i një sistemi të vjetër që mbështetej në pagesa nën tavolinë për mbulim të favorshëm? Shumë prej mediave që sot e portretizojnë qeverinë si anti-mediatike, janë pikërisht ato që kanë humbur benefitet financiare nga buxheti i shtetit. Kjo qeveri nuk e sheh median si armik, por as si partner në heshtje. Liria e medias nuk duhet të matet me afërsinë me qeverinë, por me distancën nga interesat financiare dhe politike”, ka shkruar ai.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka reaguar pas publikimit të raportit për lirinë e medieve, të Reportereve Pakufij, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie për 24 vende në vitin 2024.
Manxhuka ka thënë se Kosovë ka liri të shprehjes.
Ai ka thënë se para përpilimit të raportit disa që sot po reagojnë për të janë përgjigjur.
“Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
“Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë. Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”, ka shkruar ai.
3 AGK e shqetësuar me fushatën denigruese nga kreut të saj
Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin për siç kanë thënë fushatën denigruese ndaj organizatës dhe Kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha
“Në vend të reflektimit të domosdoshëm pas rënies dramatike të Kosovës për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), duke e renditur vendin tonë më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe krahas shteteve me histori të rënduar të censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve, vërehet tendencë e papranueshme e deputetëve të LVV-së për të fajësuar AGK-në dhe udhëheqësin e saj për këtë realitet”, thuhet nga AGK.
4 Rohde për raportin e lirisë së medieve: Libër detyrash për qeverinë e re
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ka thënë se raporti për Lirinë e Mediave nga Reporterët pa Kufij, ku Kosova për vitin 2024 ka rënë për 24 vende duhet të lexohet si një libër detyre për qeverinë e re.
Ai ka përmendur se në këtë raport Kosova renditet pas Serbisë.
“Kosova ka rënë për 24 vende në Raportin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij, në vitin 2024, duke u renditur e fundit në rajon, edhe pas Serbisë. Raporti lexohet si një libër detyrash për qeverinë e re, duke e nënvizuar atë që duhet bërë për të siguruar një shtyp të lirë – qendrore për secilën demokraci vibrante dhe reziliente”, ka shkruar Rhode në Blue Sky.