Avokati i Brahim Demirit, Granit Syla, ka deklaruar se i mbrojturi i tij nuk e ka pranuar kryerjen e veprës penale për të cilën dyshohet në rastin e vdekjes së djalit dhe mbesës së tij, të cilët u gjetën pa shenja jete të dielën në Gjilan.
Në një përgjigje për Tëvë1, Syla ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi Prokuroria Themelore në Gjilan kishte paraqitur kërkesë për caktimin e kësaj mase ndaj të dyshuarit.
Avokati ka theksuar se Demiri e ka mohuar kryerjen e veprës penale dhe është deklaruar se nuk është personi që e ka kryer atë.
“Ju njoftoj se kam prezantuar në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit, pasi që Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër të mbrojturit tim Braim Demiri.I mbrojturi im veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria Themelore nuk e ka pranuar duke u mbrojtur se nuk është kryerës i veprës penale.Ende nuk kemi pranuar vendim nga Gjykata, pas pranimit të vendimit do ta vlerësojmë vendimin e marrë dhe hapat tjerë të nevojshëm proceduralë të bazuar në dispozitat e KPP-së.Për detaje tjera rasti është në fazën e hetimeve dhe varësisht rrjedhës së procedurës mund të deklarohemi.Punë të mbarë!”, ka deklaruar avokati Granit Syla për Tëvë1.
Ndërkohë, mbrojtja ka bërë të ditur se do t’i shqyrtojë hapat e mëtejshëm proceduralë pas pranimit të vendimit të gjykatës. Rasti vazhdon të jetë në fazën e hetimeve.




