Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi do të intervistohet sot në Prokurorinë Speciale, për pretendimet që dha në konferencën e 16 shkurtit.
Këtë ka konfirmuar dje për Tëvë 1, kryeprokurori Blerim Isufaj.
Në një konferencë për media, Abazi kishte pyetur se si është e mundur që “në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit”, teksa ka shtuar se nuk mund të rrijnë të heshtur për këtë.
Ai po ashtu ka theksuar se Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti.
“Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Për ne as si shoqëri as si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet të gjithë ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë çështje deri në fund. IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, kishte thënë ai.
Në anën tjetër, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e ka quajtur këtë deklaratë politike.
Pas këtyre deklaratave, deputeti Abazi edhe zyrtarisht është larguar nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtarit të Komisionit për Stabilizim-Asociim. /Teve1.info/