Kanë kaluar një javë, që kur deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi përmendi emrat e personave që Prokuroria duhet t’i intervistojë lidhur me rastin “Dehari”.
Por edhe pas shtatë ditësh, kryeministri Kurti nuk ka marrë një ftesë të tillë.
“Nuk kemi pranuar një ftesë të tillë nga prokuroria”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ftesë nga ky institucion nuk ka pasur as për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Siç e dini, Ministrja Haxhiu e ka raportuar këtë rast ne Prokurori. Me 18 janar e ka dhëne dëshminë e saj. Për këtë ka njoftuar edhe publikisht e po ashtu, do te jete e gatshme për te dhëne dëshminë e saj sa here qe e kërkojnë institucionet”, ka thënë zëdhenës i Ministrisë së Drejtësisë, Flamur Pireva.
Televizioni ka kontaktuar edhe Dejona Mihalin nga Lëvizja Vetëvendosje, por që nuk ka kthyer përgjigje gjatë së enjtes, nëse është ftuar për intervistim.
Pa përgjigje kanë qenë edhe nga Prokuroria, të cilët nuk kanë dhënë detaje.
Kronika e gazetares Fetije Kamberi.







