Deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, thotë se nuk do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ai vlerëson që aktgjykimi i plotë i Kushtetueses i publikuar të mërkurën i jep të drejtë vetëm Listës Serbe të propozojë kandidatin për këtë post.
Në bazë të leximit të tij të aktgjykimit, Rashiq thekson se nuk i është lënë hapësirë atij që të kandidojë për nënkryetar dhe rrjedhimisht do të respektojë rregullat, ligjet dhe në veçanti Kushtetutën.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen nesër më 10 tetor, për vazhdimin e seancës konstituive me pikën e vetme të rendit të ditës – zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.
Para këtij aktgjykimi, Rashiq ka propozuar vetveten për nënkryetar të Kuvendit në tri tentime për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, mirëpo i njëjti nuk kishte marrë 61 votat e nevojshme.
Rashiq, në një përgjigje për KosovaPress, tani thotë se në bazë të aktgjykimit, të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin nga komuniteti serb e ka Lista Serbe.
“Nëse kuptova mirë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se ekskluzivisht të drejtën e ka Lista Serbe për nominimin e kandidatit (për nënkryetar të Kuvendit). Nëse është situata e tillë, siç po e lexoj unë, konsideroj se nuk më kanë lënë hapësirë mua që të kandidohem, sepse unë prej fillimi po tentoj të respektoj rregullat dhe ligjet, në veçanti Kushtetutën. Nëse unë e kam lexuar mirë, nuk e ka lejuar asnjë mundësi tjetër përveç Listës Serbe… Nëse është kjo siç e lexova unë, nuk do të propozoj (vetveten)”, thekson deputeti Rashiq.
Krahas kësaj, Rashiq bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë bisedë me Lëvizjen Vetëvendosje, parti e cila e kishte përkrahur të njëjtin për nënkryetar të Kuvendit.
Kushtetuesja, në aktgjykimin e 8 tetorit, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi deri tash ka zgjedhur për nënkryetarë Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga minoritetet jo-serbe.
Ndërkaq, Lista Serbe e ka propozuar Sllavko Simiq për nënkryetar, por i njëjti nuk i ka marrë votat e nevojshme. Megjithatë, kjo parti ka këmbëngulur vetëm në këtë kandidat.
Më pas, kryetari i zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, përmes shortit, ka hedhur në votim tetë deputetë serbë, por as ata nuk i kanë marrë votat e nevojshme.
Dimal Basha më pas ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar, por Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, duke theksuar se institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe një nënkryetar serb.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk janë formuar institucionet e reja