Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për teve1.info se pas hetimeve dhe intervistimit të të dyshuarit, në koordinim me prokurorin është bërë rikualifikimi i veprës dhe ndaj A.M, mashkull 23 vjeç, është iniciuar rast për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, është intervistuar një person për veprën lajmërim apo kallëzim i rrejshëm.
Pas zhvillimit të hetimeve, ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe sigurimit të provave të tjera, në lidhje me rastin e grabitjes raportuar me datën 16.01.2023, nga hetuesit është vërtetuar se ankuesi ka inskenuar rastin dhe aksidentin dhe i njëjti i ka lajmëruar rrejshëm.
Sot pas intervistimit, në koordinim me prokurorin e shtetit, është bërë rikualifikimi i veprës, dhe ndaj personit të dyshuar :
– A.M, mashkull 23 vjeç, është iniciuar rast për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm”, tha Ahmeti.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më datën 16 janar 2023.
“Rr. Hazir Haxholli në Prishtinë, ankuesi kosovar ka njoftuar policinë se është ndaluar në rrugë nga tre persona të dyshuar të panjohur dhe në kërcënimin e armës i kanë marrë makinën, para të gatshme dhe një telefon celular. Pas kryerjes së veprës të dyshuarit me veturën e viktimës kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke u aksidentuar në rrethojën e një kompanie private ku e kanë braktisur veturën. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”, thuhet në raportin 24-orës të Policisë së Kosovës të datës 16 janar 2023.