Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta e ka sulmuar drejtpërdrejt FIFA-n për lëndimin që e pësoi Raphinha gjatë ndeshjes miqësore të zhvilluar kundër Francës me fanellën e Brazilit.
Braziliani pësoi tërheqje muskulore në bicepsin femoral të këmbës së djathtë, një problem që do t’i kushtojë trajnerit Hansi Flick dhe blaugrana një nga lojtarët kyç të repartit ofanziv në momentin më delikat të sezonit.
“Të dëmtohet një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në një miqësore mes Francës dhe Brazilit në Shtetet e Bashkuara të zemëron shumë”, deklaroi numri një i klubit katalanas.
“Nuk mund t’i hidhet përgjegjësia lojtarit që nuk luan, sepse ai është një profesionist që jep gjithçka për vendin e tij dhe kjo është normale. Por FIFA duhet të krijojë një kalendar ndërkombëtar që merr parasysh kompeticionet në të cilat marrin pjesë klubet më të rëndësishme”, shtoi ai në një intervistë për “Món Esport”.










