Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po bën, sipas tij, një varg shkeljesh ligjore, kushtetuese dhe financiare.
Në një konferencë për media, Ramadani tha se Aleanca e ka thirrur këtë konferencë për të ngritur shqetësimet lidhur me menaxhimin e buxhetit të Kosovës.
Ai akuzoi LVV-në se po keqpërdorë buxhetin e shtetit, duke pretenduar se rreth gjysmë milioni euro janë shpenzuar për paga të personave që ai i cilësoi si militantë të LVV-së të angazhuar në zyrat e Qeverisë.
Sipas tij, bëhet fjalë për 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, përfshirë kabinetet, këshilltarët dhe shoferët, të cilët, siç tha ai, ishin emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ramadani u ndal edhe te çështja e deputetëve që ushtrojnë funksione ministrore. Ai tha se bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, një person që certifikohet si deputet dhe jep betimin si deputet nuk mund të ushtrojë njëkohësisht detyrën e ministrit.
“Është e qartë me Kushtetutë, në nenin 72, dhe në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandatin, betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai shtoi se rrjedhimisht edhe stafi i angazhuar nga këta ministra nuk do të duhej të vazhdonte punën në zyrat e Qeverisë.
“Lëvizja Vetëvendosje ka zinxhir të shkeljeve, pra shkeljet edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe financiare janë në zinxhir, pra nuk po ndalen. Jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarët, shoferët etj., të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit. Por, sikurse është e qartë me Kushtetutë, në nenin 72, dhe në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandatin, betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, ky staf i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë nuk kanë të drejtë të futen në zyrat e Qeverisë”, deklaroi ai në konferencën për media./teve1.info/









