Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim me Asamblenë e Partia Socialiste në Vlorë, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku u ndal te procesi i integrimit europian dhe sfidat kryesore të vendit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment të favorshëm historik për anëtarësimin në Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se sot ekziston një vullnet i ndërsjellë mes palëve.
Sipas tij, “aq sa ne duam të jemi pjesë e BE-së, aq edhe BE dëshiron që ne të bëhemi pjesë e saj”, duke e cilësuar këtë si një moment delikat që kërkon kuptim dhe angazhim maksimal.
“Fati po i buzëqesh Shqipërisë për të synuar të realizojë atë që ka ëndërruar për shumë kohë, që është misioni i anëtarësimit në Bashkimi Evropian. Sot, aq sa ne duam të jemi pjesë e BE-së, aq edhe BE do që ne të jemi pjesë e saj. Ky është një moment jashtëzakonisht delikat dhe duhet kuptuar plotësisht ashtu siç është. Ky moment nuk do të zgjasë pafundësisht, por është krijuar nga rreshtimi i të gjithë yjeve në favorin tonë. Ky fat erdhi jo vetëm nga puna jonë, por edhe nga rrethanat që kanë shkuar në favorin tonë. BE, ndryshe nga deri pak vite më parë, sot e ka derën e hapur,” u shpreh Rama.
Një nga çështjet kyçe të përmendura ishte siguria ushqimore, të cilën Rama e cilësoi si një ndër sfidat më të mëdha të negociatave me BE-në, por edhe si një domosdoshmëri për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Ai theksoi se procesi i integrimit nuk është vetëm një objektiv politik, por edhe një udhërrëfyes për ndërtimin e një shteti më funksional, me ekonomi më të zhvilluar, drejtësi më të fortë dhe institucione më të besueshme.
“Siguria ushqimore është një sfidë e madhe e negociatave, por ajo na duhet në radhë të parë për shëndetin e shqiptarëve. Integrimi është një proces bekimi për ne, pasi duhet ta kemi si udhërrëfyes për ta bërë në radhë të parë shtetin këtu në dobi të qytetarëve tanë. Një ekonomi më e mirë, drejtësi më e mirë dhe institucione më të mira vijnë edhe si rezultat i këtij procesi me BE-në dhe reformave që kalojmë këtu,” tha ai.
Në përfundim, Rama siguroi se qeveria dhe shumica socialiste do të vijojnë të mbajnë premtimet ndaj qytetarëve, duke theksuar se reforma në drejtësi nuk do të ndalet dhe do të çojë deri në fund, pavarësisht sfidave politike përpara.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që e gjithë kjo rrëmujë dhe kaos nuk duhet të ndikojë tek asnjë nga ata që na besuan votën. Ne nuk e tradhtojmë besimin dhe votën për asnjë arsye. Nuk e morëm për të kthyer pas reformën në drejtësi dhe atë do ta çojmë deri në fund. Përballë kemi sfidat që duhet t’i fitojmë,” tha Rama./rtsh.al/











