Nga vetura e tij, po zbret në sheshin e Prishtinës.
E pritja për të, po bëhet me tepih të kuq e me flamuj të dy shteteve.
Një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, për vizitë zyrtare erdhi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
E para që e priti në takim ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Aty pati përqafime e shtrëngim duarsh.
Pas pak minutave, u ulën përballë njëri tjetrit.
Për 35 minuta, vetura e tij priti kështu para hyrjes së Presidencës.
E kur doli, Rama nuk tregoi nëse të martën do i bashkohet marshit të “Liria ka emër” për marshin në përkrahje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Detaje se çka u fol në takim dhanë Zyra e Presidentës.
“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin. Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Nga aty, vazhdoi për në promovimin librit “Kur heshtja flet” të ish diplomatit kosovar, Ahmet Shala.
Edhe ky libër, lidhet me zhvillimet në Gjykatën Speciale për Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Por këtu, Rama dha një informacion për Osmanin.
Ai tha se presidentja e Kosovës ka qenë e kërcënuar për dy vite nga prokurorët e kësaj Gjykate për të kontrolluar zyrën e saj.
Por Rama, vizitë zyrtare me pritje ceremoniale bëri edhe në ekzekutivin kosovar.
Ecjen e bëri bashkë me kryeministrin Albin Kurti.
Edhe këtu, takimi zgjati për disa minuta.
Kur doli, prapë nuk foli nëse do të marrë pjesë nesër në marsh.
Edhe këtu, komunikatë lëshuan nga Qeveria e Kosovës rreth takimit.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit. Kryeministri Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Në protestën e 17 shkurtit për krerët në Hagë ka ftesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Ai ende nuk e ka konfirmuar nëse merr pjesë ose jo.






