Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe moskonstituimit të tij brenda afatit kushtetues.
Rama ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se institucionet e Kosovës nuk mund të përdoren për kalkulime politike.
“Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit. Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas tij, situata në Kuvend përbën papërgjegjësi të rëndë institucionale dhe një lojë të rrezikshme me funksionimin e shtetit.
“Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet”, ka shtuar ai.
Rama ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës nuk mund të funksionojë sipas nevojave politike të një partie, ndërsa afatet kushtetuese, sipas tij, nuk mund të shtyhen deri në sigurimin e numrave të nevojshëm politikë.
Ai ka ngritur një sërë pyetjesh drejtuar Kurtit, duke kërkuar të dijë pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit dhe pse institucionet e Republikës po përdoren, sipas tij, për kalkulime politike.
“SHTETI ËSHTË MBI PARTINË! Albin Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve: Pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit? Pse institucionet e Republikës po përdoren për kalkulime politike? Deri kur do të prodhoni kriza vetëm pse nuk i keni numrat për pushtetin që kërkoni? Kush ua ka dhënë të drejtën ta trajtoni Republikën Kosovës sikur të ishte pronë e partisë suaj?Kur i kanë numrat, flasin për demokraci.Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë.Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë.Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime. Mjaft”, ka shkruar Rama, duke shtuar se Kushtetuta dhe institucionet nuk mund të trajtohen në mënyrë selektive, në varësi të interesave politike.
Rama ka komentuar edhe incidentin e ndodhur në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
“Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit. Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka bërë thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe uljen e tensioneve.
“Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike? Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma. Ka mjaft vuajtje ky popull. Ka mjaft përçarje. Ka mjaft kriza”, ka thënë Rama.
Ai ka nënvizuar se Kosova ka paguar një çmim të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin, duke theksuar se institucionet nuk duhet të përdoren si “monedhë për kalkulime politike”.
Sipas Ramës, Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po menaxhohet kriza, ndërsa detyra e një kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit.
Në fund, Rama ka kërkuar institucione funksionale dhe respektim të Kushtetutës.
“Kosovës i duhet stabilitet. Kosovës i duhen institucione funksionale. Kosovës i duhet respekt për Kushtetutën. Kosovës i duhet lidership që bashkon dhe merr përgjegjësi. Kuvendi u përket qytetarëve. Kushtetuta mbron Republikën. Institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve. Askush nuk është mbi Kushtetutën. Askush nuk është mbi institucionet. Askush nuk është mbi Republikën e Kosovës! Albin Kurti, pushteti është i përkohshëm. KOSOVA ËSHTË E PËRHERSHME! SHTETI ËSHTË I SHENJTË”, ka përfunduar Rama./teve1.info/




