Deputeti i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lazar Radulloviq, ka akuzuar Listën Serbe se ka tentuar ta pengojë zgjedhjen e tij si deputet dhe ta frikësojë përmes presioneve dhe sulmeve.
Gjatë fjalimit të tij sot në Kuvendin e Kosovës, Radulloviq tha se u kishte borxh një përgjigje deputetëve të Listës Serbe, të cilët, sipas tij, gjatë procesit zgjedhor ishin ankuar në Gjykatën Supreme për të kontestuar kandidaturën e tij. Ai e ka quajtur Listën Serbe edhe organizatë kriminale, raporton KosovaPress.
“Problemi i Listës Serbe është se me mua nuk mund të bëjnë tregti, mua nuk mund të më blejnë dhe frikësojnë. Vendi ku jam ulur unë është vendi im dhe ata nuk kanë mundësi që të më blejnë dhe të ma marrin vendin tim. Ekziston vetëm një mënyrë. Kohëve të fundit kam pasur probleme, dhunë fizike dhe shpërthim të gomave të veturës. E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është të më gjuani me armë dhe atëherë nuk do të jem… Ju jeni vetëm ‘piona’ këtu që i merrni porositë nga Beogradi, por organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka, por mua nuk mund të më frikësoni”, tha ai.









