Policia e Kosovë ka njoftuar se më 1 janar 2026, rreth orës 21:00, qytetari D. Mehmetaj ka paraqitur në stacionin policor një çantë të humbur që e kishte gjetur më parë rreth orës 20:30 në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Pas kontrollimit të çantës në prani të zyrtarëve policorë, aty janë gjetur një patentë shoferi, kartëmonedha në vlerë prej 350 eurosh, rreth 3 euro para metalike dhe sende të tjera personale.
Pronarja e çantës, znj. L. M., u identifikua pas verifikimeve dhe rreth orës 21:20 u paraqit në stacionin policor për ta marrë çantën e saj.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon qytetarin D. Mehmetaj për veprimin e tij shembullor, ndershmërinë dhe bashkëpunimin me institucionet, duke vlerësuar këtë rast si një shembull të mirë qytetarie dhe përgjegjësie shoqërore”, theksohet në njoftim.







