Qeveria “Rama 4” ka firmosur shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7 mujore në detyrë, pasi mbahet në arrest me burg nga SPAK për disa vepra penale dhe mos ushtrimin e detyrës për të cilën është votuar.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, duke i hapur kështu rrugën zgjedhjeve të reja për bashkinë më të madhe në vend.
Në fillim të javës Këshilli Bashkiak i kryeqytetit shkarkoi kryebashkiakun, me propozim të këshilltarëve socialistë.
Një ditë më parë kreu i PS-së dhe Kryeministri Rama tha se qëllimi është rindezja e makinerisë së bashkisë së Tiranës dhe ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët. Rama në asamblenë e partisë që drejton, propozoi si kandidaturë të socialistëve për bashkinë e Tiranës, ish ministren dhe drejtuesen politike të qarkut Ogerta Manastirliu.
Erion Veliaj mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës më 30 korrik të 2015-ës, pas fitores së zgjedhjeve të 21 qershorit.
Ai arriti ta mbante këtë detyrë për tre mandate, deri në arrestimin e tij më 10 shkurt të 2025-ës në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Mbi Erion Veliajn rëndojnë 13 akuza, të cilat përfshijnë korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre.
Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për një masë më të butë sigurie, duke shënuar herën e dytë që kundërshton arrestin në burg./rtsh.al