Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, me të cilin kanë diskutuar për lehtësimin e qasjes për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta.
Qelaj tha se respektimi dhe përgjigja në kërkesat e Avokatit të Popullit do ta rrisë respektimin e ligjit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Niveli i bashkëpunimit institucional në mes të Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera rritë nivelin e raporteve e këto kryesisht shkojnë në të mirë të qytetarëve dhe në ngritjen e mirëqenies për qytetarë. Arsyeja pse ju kemi pritur në këtë takim është se secili prej personave që është këtu në këtë sallë kanë punë me të gjitha institucionet e Kosovës e edhe me komunën e Prishtinës. Në standardet ndërkombëtare një matës që reflekton në politikat publike matet me sa respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit. Bashkëpunimi dhe komunikimi janë mjetet e para në zbatim të këtyre kërkesave. Andaj respektimi dhe përgjigja në kërkesa të
Avokatit të Popullit do ta rrisë respektimin e ligjit, rritjen e demokracisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarit”, tha Qelaj.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se me Avokatin është dashur që të takohet me herët, duke shtuar se e kanë obligim që secili qytetar të ndihet i barabartë.
Për fëmijët tha ai do të kenë trajtim të veçantë, por edhe për personat me aftësi të kufizuara.
“Është dashur të takohemi më herët, po ja që po takohemi tash. Si kryeqytet kemi obligim që secili qytetar të ndihet i barabartë. Duke filluar prej fëmijëve, në aspektin urban, arkitektonik, institucional e kemi fëmijë si pikë kyçe në bazë të së cilëve i kemi zgjedhur të gjitha prioritetet tona. Poashtu aspekti tjetër me fokus të veçantë janë edhe personat me aftësi të kufizuara, me nevoja të veçanta. Kryeqytetit po edhe ndërtesave institucionale u duhen shumë punë. Një numër i madh i tyre nuk i plotëson kushtet për ta. Edhe në aspektin ligjore ku këto ndërtesa duhet t’i plotësojnë kushtet për të gjithë. Një nga mangësitë është komunikimi në mes institucionesh. Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë në mes të institucionet t’i zgjidhim problemet që i kemi. Me një procedurë më pak burokratike e më shumë praktike”, tha Rama.
Ai foli edhe për disa çështje të ngritura si ajo e qenve endacakë, lejet për ndërtim që nuk përmbushin qasjen e mirëfilltë për persona me nevoja të veçanta, e ujin e pijshëm në fshatin Marec të Prishtinës.
“Mungon informata midis institucionesh. Të gjitha pikat që i përmendët duke filluar nga taksa 1 vjeçare që është e pezulluar tashmë. Një numër i madh i qytetarëve mund të bëjnë bartjen e pronave të tyre pa pagesë. Kemi investuar gati 1.5 milionë e që janë sa dyfishi i qeverisjeve të kaluara. Kemi ndarë 10 hektarë tokë për të krijuar parkun e kafshëve, me fokus qentë endacakë”.“Në bazë të OJQ-ve, numri i qenve endacakë është 3000-3500. Nëse vetëm 3% e familjeve në kryeqytet adoptojnë zgjidhet problemi në kryeqytet. Por jo edhe në qytete të tjera. Prandaj, duhet bashkëpunimi me nivelin qendror. Ne tashmë kemi marrë vendim që ka me qenë pozitiv vendimi që kemi marrë në drejtim me këtë problem”, ka deklaruar Rama./EO/