Autore: Jona Kelmendi
Për të tretën herë brenda pak javësh, punëtorët e KOSTT-it u rikthyen në protestë para zyrave qendrore të kompanisë.
Me pankarta në duar, edhe këtë të premte, ata kërkuan rritje të pagës bazë dhe vlerësim për punën e rrezikshme.
Kjo kërkesë, sipas tyre është e domosdoshme për të përballuar jetesën.
“Në përditshmërinë tonë po ndikon negativisht për arsye se ne kemi familje, kemi studentë, na duhet mu ballafaqu me kredi, me kushtet ma elementare na po duhet mu ballafaqu. Me kredi se nuk po ia dalim, udhëtimin e kemi të veçantë, as nuk na paguhet udhëtimi as asgjë tjetër”, është shprehur Masar Berisha – punëtor.
“Neve janë tu na malltretu, a pe sheh çfarë vape me ardh prej Peje, Gjakove, Prizreni. Na po duhet në 7 ora mu nis me ardh këtu”, thotë Riza Kastrati një tjetër punëtor.
Megjithatë Arben Pllana, kryetar i sindikatës së pavarur të punëtorëve, paralajmëroi grevë më 25 gusht.
Derisa tha se kanë marrë edhe kërcënime për të mos dalë në protestë.
“Ne sot kemi ardhë në këtë protestë të fundit para se te fillojmë me grevën tonë me 25…Nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona, janë tu bo shantazhë, si lloj kërcënime që mos të dalim në protesta, mirëpo me zemër e me shpirt ata janë me ne këtu kështu qe nuk do ndalemi”, tha Pllana.
Mbështetje këtyre punëtorëve iu dhanë edhe sindikata e KEK-ut dhe Shoqata sindikale në “Kosova B”.
“Ftoj menaxhmentin dhe bordin e Jostt-it që të ulen dhe të negociojnë sepse edhe këta e kanë një hall edhe këta meritojnë, benificione të gjithë kemi familje dhe prandaj e drejta e tyre ligjore është për të ngrit te drejtën dhe standardin”, tha Nexhat Llumnica, kryetar sindikatës së KEK-ut.
“Kjo kërkesë është e realizueshme por është edhe në dorën e juve nëse ju bashkoheni edhe nuk tërhiqeni kërkesa është e realizueshme, edhe çdo sen do ta realizoni”, tha Muharrem Gashi – kryetar i shoqatës sindikale në Kosova B.
Përfaqësues të sindikatës kanë bërë të ditur se kërkesat e tyre janë adresuar disa herë, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete.