Blerim Ramadan i cili të mërkurën është arratisur nga Maqedonia Veriore, pas arrestimit me urdhërarrest të Serbisë është në Kosovë.
Të paktën kështu kanë thënë të afërm të tij.
Nesret Shashivari ka publikuar një fotografi me Ramadanin të cilit i ka uruar mirëseardhje në shtëpi.
“Daja Blerim Ramadani mirë se je ardh në shtëpinë tende ne vendlindjen tane s’kemi faj pse dikujt i pengon Lufta dhe Lirie e Kosovës Çlirimtar, respekt i përjetshëm dot jemi të bashkuar gjithmonë”, ka shkruar ai.
Ish ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, është arratisur nga “arresti shtëpiak” ku po qëndronte në Maqedoni të Veriut.
Ky veprim i Ramadanit, dyshohet se vjen meqë të njëjtit të enjten i është ndryshuar masa e sigurisë, që nënkuptonte rikthimin e tij në paraburgim.
Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhincë dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues.
Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999.