Autore: Jona Kelmendi
Kur rryma u ndal, ashensori doli nga funksioni.
Prandaj, dhjetëra minatorë të Trepçës në Stan Tërg, mbetën të bllokuar qindra metra nën tokë.
Në mungesë të ashensorit, nga horizonti i dhjetë, në këmbë duke përdorur shkallët, minatorët ia dolën të dalin në sipërfaqe.
“Kemi qenë në ndërrimin e dytë në fund të ndërrimit të dytë, është deshtë me dal jashtë, na u ka ndal rryma në horizontin e 10, jemi mbet 15 punëtorë, e ne horizontin e 8 kanë mbetur 7 punëtor po për fat të mirë jemi dal e shnosh e mirë. 10 prej nesh kena filluar me dal në këmbë në daljen e dytë shkallëve”, ka treguar minatori Burim Haradini.
Ecja në këmbë, atyre u zgjati më shumë se një orë.
Kryesindikalisti Ibrahim Januzi, tregon se viteve të fundit problemet me energji elektrike janë duke u përsëritur.
Këto dy vitet e fundit është një gjë që është tu ndodh shumë shpesh për shkak të pajisjeve të stërvjetëruara edhe për shkak të ngarkesave që ka edhe për shkak të investimeve që nuk janë bërë në ndërmarrje. Gjendja është e rëndë, kushtet e punës janë jashtëzakonisht shumë të rënda të qendrosh për 8 orë është shumë e le të mbesësh edhe 6-7 orë shtesë, por minatorët normal nga përvoja e punës në minierë nga ana psikike besoj që mund ta përjetojnë me një qetësi, mirëpo nuk është e lehtë të qendrosh në një ajër të mbyllur atje”, shprehet ai.
Drejtori i minierës së Trepçës, Shyqyri Sadiku, tregon se problemi u zgjidh tek në ora 4:30 të mëngjesit.
“Ka qenë një defekt në lartëpërçuesin atje në 110 që e furnizon 35kë dmth minieren, defekti ka ndodh në ora 21:30, e kemi marr njoftimin, i kemi njoftua ekipet tona shtesë që jon kon mrena dhe kanë ardh, e kanë identifikua defektin tani kemi lyp mbështetje edhe prej KEK-ut edhe prej KOSTT, të cilët na kanë mbështetë edhe në logjistikë edhe në profesionalizëm edhe defekti është eliminuar në 4:30. 22 punëtorë kanë qenë brenda, 11 kanë dal në këmbë nga daljet emergjente që janë edhe 11 kanë pritë deri sa të rregullohet problemi”, është shprehur Sadiku.
Sadiku i ka arsyetuar defektet, duke thënë se janë diçka e pritshme në minierë.
Menaxhmenti, mirëpo edhe punonjësit e minierave të Kosovës, në vazhdimësi kanë ankesa për vjetërsinë e makinerive.






