Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka nxjerrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit, me qëllim të lehtësimit të procedurave për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, me ndryshimet e reja, prokurorët specialë do të mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga kryeprokurori.
Ky ndryshim synon të lehtësojë procedurat administrative të regjistrimit të lëndëve dhe t’u mundësojë prokurorëve inicimin e hetimeve për vepra penale sipas detyrës zyrtare, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore.
Në njoftim theksohet se vendimi është në funksion të respektimit të kompetencave dhe pavarësisë funksionale të prokurorëve.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe hetimit të të gjitha veprave penale që bien në kompetencën e saj, bazuar në ligjin në fuqi”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.







