Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga zinxhiri komandues i Policisë në Pejë mbikëqyrje më të madhe ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, veçanërisht atyre që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit.
Kërkesa u bë gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme.
Disha-Haxhosaj ka kërkuar reagim të shpejtë, koordinim mes institucioneve dhe përfshirjen e mekanizmave përgjegjës për të siguruar mbrojtje efektive për viktimat.
“U.D. e Kryeprokurores ka theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë institucional, koordinimit të veprimeve dhe përfshirjes së të gjithë mekanizmave institucionalë kompetentë. Ajo ka kërkuar që, gjatë trajtimit dhe procedimit të rasteve që përfshijnë viktimat, veçanërisht viktimat e dhunës në familje dhe të miturit, të sigurohet prania dhe përfshirja e këtyre mekanizmave, në përputhje me rolin dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe ofrimit të mbrojtjes efektive për viktimat”,thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në fund të takimit, palët janë pajtuar për intensifikimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë publike./teve1.info/







