Tre prokurorë të Kosovës Shkëlzen Ibrahimi nga Prokuroria e Apelit, si dhe Halim Borovci e Naim Gashi nga Prokuroria Speciale po marrin pjesë në një trajnim për hetimin e krimeve kibernetike, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.
Sipas njoftimit, programi përfshin identifikimin dhe ruajtjen e provave digjitale, hetimet përmes burimeve të hapura (OSINT), teknologjinë blockchain dhe gjurmimin e aseteve që lidhen me kriptomonedhat.
“Programi përfshin trajtimin e krimit kibernetik, metodat e identifikimit, mbledhjes dhe ruajtjes së provave digjitale, si dhe aspektin ligjor për bashkëpunimin ndërkombëtar. Vëmendje e veçantë i kushtohet hetimit përmes burimeve të hapura (OSINT), teknologjisë blockchain dhe gjurmimit të aseteve që lidhen me përdorimin kriminal të kriptomonedhave”, thuhet në njoftim.
Trajnimi u organizua me financim të Bashkimit Evropian, ndërsa në të po marrin pjesë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës./teve1.info/








