Edhe të paktën për një muaj, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë që ta paguajnë me çmim të njëjtë energjinë elektrike.
Kjo pasi, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që hyrjen në fuqi të tarifave të reja të rrymës ta shtyej deri më 1 maj.
E tarifat e reja, KESCO dhe KEDS kanë kërkuar që të shtrenjtohen për mbi 20%. Arsye sipas tyre është sasia e madhe e importit të energjisë elektrike.
Kërkesë për rritje të çmimit të rrymës ka bërë edhe KOSTT.
Mirëpo, qytetarët nuk po pajtohen me këto kërkesa. Sipas tyre, jetesa po bëhet e papërballueshme.
“Çmimi i energjisë ndikon në të gjitha çmimet edhe rritë koston e jetesës, kjo ka qenë prej 1 prilli e mbrëmë dëgjova deri me 1 maj, kështu që qeveria do të duhej ta shtynte deri në gjashtë muaj apo edhe një vjet për shkak se tash derivatet e naftës, lufta nuk dihet kur ndalet”, thotë Sejdi Halimi-qytetar.
“Edhe ashtu është një rritje e madhe, inflacion i madh dhe ne disproporcion me standardin e popullatës. Kështu që është gabim rritja”, shprehet Shefqet Hasani.
Madje një mërgimtar thotë se me shtrenjtë paguan faturat e rrymës në Kosovë sesa në Zvicër.
“Unë jetoj në Zvicër mua më ka shtrejtu energjia elektrike që 10 vjet, këtu çdo muaj kjo është …shtet në eksperiment. Shumë më e madhe vjen fatura e energjisë këtu se sa atje”, shprehet një tjetër qytetar.
Eksperti i energjetikës, Adhurim Haxhimusa, thotë se pritshmëritë janë që tarifat e reja të energjisë elektrike të rriten.
“Meqenëse gjenerimi vendor në 2025 ka qenë jo shumë stabile dhe shumë më i ulët se sa në 2024 atëherë rrezikojmë që të kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike nga rishikimi i tarifave nga ZRRE-ja për shkak se në 2025 Kosova ka importuar thuajse dyfishin e energjisë elektrike krahasuar me 2024, rreth 300 milion euro”, thotë eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa.
Se çmimet e energjisë elektrike do të rriten e thonë edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Madje shtyrjen për një muaj, ata e konsiderojnë një lojë politike të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“Ky vendimi për shtyrjen për mos me hy nga një prilli por me hy nga një maji është më shumë një lojë që po bëhet kjo ndërlidhet më shumë me zhvillimet politike sepse ende nuk e dimë se a do të zgjedhim president apo nuk do të zgjedhim dhe do të shkojmë në zgjedhje dhe unë dyshoj se krejt aty është loja që është bërë”, thotë Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
E çdo shtrenjtimi i energjisë sipas Ahmetit do të jetë një barrë edhe për qytetarët.
Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe tek ZRRE rreth vendimit që tarifat e energjisë të ndryshohen deri më 1 maj, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.



