Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se edhe këtë vit do të vazhdojë iniciativa për regjistrim falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Sipas tij, me qëllim të gjithëpërfshirjes, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbime komunale, u është kërkuar komunave që muaji prill të shpallet muaj i regjistrimit falas për këto komunitete.
Krasniqi ka theksuar se kjo nismë synon krijimin e lehtësirave dhe ofrimin e informacionit të nevojshëm për regjistrim, duke u mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë në shërbime.
Ai ka shtuar se regjistrimi falas dëshmon përkushtimin institucional për përfshirje dhe barazi, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të përfitojnë nga shërbimet komunale.
Sipas tij, heqja e tarifave të regjistrimit do të ndihmojë në eliminimin e barrierave financiare për komunitetet e margjinalizuara dhe do të kontribuojë në trajtim dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
“Kjo qasje jo vetëm që njeh vlerën e tyre të qenësishme, por gjithashtu afirmon të drejtën e tyre për trajtim dhe mundësi të barabarta”, ka shkruar në Facebook ministri. /teve1.info/




