Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të martën ka qëndruar për vizitë te familja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Vizitën e ka bërë të ditur djali i tij, deputeti Altin Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar një fotografi të Presidentes së Kosovës me djalin e tij, Gegën.
“Gega me Presidenten”, ka shkruar Krasniqi krahas fotografisë.
Ai ka shprehur mirënjohje për vizitën e Presidentes, duke theksuar se familja i ka uruar asaj suksese dhe punë të mbarë në ushtrimin e detyrës së saj.
Krasniqi, në të njëjtin postim, ka vënë në pah rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në rrethanat aktuale, duke iu referuar edhe situatës me të cilën po përballet familja e tij.
“Presidentja na nderoi sot me praninë e saj. Me këtë rast, i uruam punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar ai.
Më tej, deputeti ka theksuar se në këto momente nevojitet përkushtim i përbashkët në përpjekjet ligjore për kthimin në atdhe të ish-krerëve të UÇK-së.
“Në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne si familje, por edhe për shtetin tonë, na duhet unitet, solidaritet dhe përkushtim i palëkundur në betejat ligjore në përpjekjet për rikthimin në atdhe të çlirimtarëve tanë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, më 16 shtator, ish-krerët e UÇK-së u dënuan në shkallën e parë me 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hashim Thaçi me 25 vjet, Jakup Krasniqi po ashtu me 25 vjet burgim, Kadri Vesli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim./teve1.info/








