Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Belegut në përvjetorin e saj, duke e cilësuar atë si një ndër krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Osmani rikujtoi se më 29 mars 1999, në fshatin Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit të Serbisë ndanë burrat dhe të miturit nga gratë, në një akt të planifikuar që i parapriu ekzekutimit.
Sipas saj, 46 civilë shqiptarë u vranë dhe u masakruan brutalisht, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe dëshirës për të jetuar të lirë në vendin e tyre.
Në këtë përvjetor, presidentja theksoi se institucionet dhe qytetarët përulen me nderim para viktimave dhe ndajnë dhimbjen me familjet që ende përballen me pasojat e asaj dite tragjike.
Ajo shtoi se kujtimi për viktimat mbetet një zotim i përhershëm për të mos lejuar harrimin e krimeve dhe për të kërkuar drejtësi, duke theksuar se sakrifica e tyre do të kujtohet gjithmonë.
“Më 29 mars 1999, në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë ndanë burrat dhe të miturit nga gratë, një akt i paramenduar çnjerëzor që i parapriu krimit mizor. 46 civilë shqiptarë u ekzekutuan dhe u masakruan brutalisht, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre”. /teve1.info/







