Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në kampin Bondsteel, së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.
Gjatë ceremonisë, presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke e cilësuar atë si simbol të mirënjohjes, solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta.
Ajo shprehu mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në momentet më të vështira të historisë së vendit, në rrugën drejt lirisë dhe në procesin e ndërtimit të shtetit.
Presidentja falënderoi në mënyrë të veçantë gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane, të cilët prej afro tri dekadash kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke shërbyer larg familjeve të tyre.
Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës i konsiderojnë pjesëtarët e ushtrisë amerikane si pjesë të familjes, ndërsa përkushtimi dhe sakrifica e tyre kanë krijuar lidhje të veçanta me vendin.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Shiroka Pula shprehu falënderimin për shërbimin dhe përkushtimin e ushtarëve amerikanë, duke ritheksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zë një vend të veçantë në zemrat e kosovarëve.
Ajo përfundoi duke theksuar se Kosova do të vazhdojë ta ruajë dhe forcojë këtë miqësi, e cila ndër vite ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë së vendit.







