Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar me tone të forta pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, e ndodhur brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ngjarja tronditëse ka shkaktuar një valë reagimesh në opinionin publik dhe institucionet e vendit.
Në një deklaratë të bërë publike në rrjetin social Facebook, kreu i shtetit u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe dënoi me ashpërsi sulmin, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm dhe atentat ndaj vetë sistemit të drejtësisë.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e patolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja,” – shkruan Presidenti Begaj.
Ai e konsideroi sulmin si një goditje të rëndë jo vetëm ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por ndaj gjithë sistemit që garanton rendin dhe paqen sociale në vend.
“Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale,” – vijon më tej reagimi i Presidentit.
Në përfundim, Begaj ka shprehur solidaritet me familjen e të ndjerit dhe me komunitetin gjyqësor:
“Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen.”
Ngjarja e rëndë mbetet në hetim nga autoritetet dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë në vend.








