Policia e Kosovës ka konfiskuar gjashtë kamionë me dru në fshatin Dardani në Ferizaj, gjatë zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”.
Sipas njoftimit shoferët e kamionëve nuk posedonin dokumentacion e nevojshëm.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferët e këtyre automjeteve transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin e nevojshëm. Automjetet dhe lënda drusore janë sekuestruar, ndërsa për procedurat e mëtejme ligjore janë njoftuar zyrtarët e pylltarisë”, ka njoftuar Policia.
Policia Rajonale e Ferizajt, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me zyrtarët e pylltarisë, do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të paligjshëm të drunjve. Të gjitha informacionet e raportuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.