Policia e e Kosovës ka identifikuar disa raste të prodhimit dhe kontrabandimit me mallra, më saktësisht cigareve dhe duhanit te papërpunuar.
Në njoftim thuhet se, janë identifikuar katër raste të ndryshme të prodhimit dhe kontrabandimit të cigareve dhe duhanit të papërpunuar, të cilat janë konfiskuar raporton teve1.info
“Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Lindje, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat i kësaj janë identifikuar disa raste të prodhimit dhe kontrabandimit me mallra, specifikisht cigareve dhe duhanit të papërpunuar. Me datën 23.04.2023, bazuar në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente, të bëra nga ana e njësive të Policisë Kufitare, janë identifikuar 4 raste të ndryshme të prodhimit dhe kontrabandimit të cigareve dhe duhanit të papërpunuar”, thuhet në njoftim.
Në rastin e parë, policia në një shtëpi banimi ka identifikuar një shtëpi banimi në Viti që është dyshur për mall të kontrabanduar, ku edhe janë gjetur e konfiskuar 922.7 kg (577.10 kg duhan i grirë refuz), 88,80 kg duhan i grirë i paketuar në qese, 290 kg ambalazhe najloni për duhan, 497 kg ambalazh kartoni për duhan, 1 makinë për ambalazhimin e duhanit, 259 kg duhan i papërpunuar (fleta).
Në rastin e dytë, në fshatin Mjak policia ka vërejtur një veturë e cila ka hyrë në Kosovë, e cila më pas është gjetur e braktisur dhe e ngarkuar me 12750 pako, në total 255.000.
Ndërkaq në rastin e tretë, pas trajtimit të informacioneve inteligjente nga njësia e lartcekur është identifikuar një shtëpi e pabanuar, me ç’rast është gjetur duhan i papërpunuar në sasi prej 21 thasësh pesha 10 kg, (dhjetë kg), në total 210 kg (dyqind e dhjetë kg). Malli dyshohet që është sjellë nga RMV dhe është i kontrabanduar, ku i njëjti është sekuestruar për procedura të mëtejshme policore.
E në rastin e katërt, në fshatin Ramnishtë, Viti, është ndaluar një automjet i ngarkuar me duhan të paketuar: Malboro 20 pako në sasi 500 gr. = 10 kg, Sobrani 80 pako, në sasi 500gr = 40kg, Davidoff 141 pako, në sasi 500 gr. = 70,5 kg, Slims Carelia 220 pako, në sasi 500 gr. = 110 kg, në total 230,5 kg, për të cilin nuk kishte dokumentacion përkatës.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastet e lartcekura është njoftuar prokuroria përkatëse e cila ka urdhëruar që të iniciohen rastet ‘kontrabandim me mallra’, në dy nga rastet e lartcekura ndaj dy personave të dyshuar të identifikuar pas intervistimit janë iniciuar raste në procedurë të rregullt, ndërsa malli dhe automjetet janë konfiskuar dhe janë dërguar në Doganën e Republikës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.







