Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur ta nxjerrë nga Liqeni i Ujmanit një automjet që ishte fundosur në tetor të vitit të kaluar.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni i përbashkët ka nisur rreth orës 10:00, ku kanë marrë pjesë njësitë e rendit dhe njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës (NJSO, NJRSH dhe NJNSH), në bashkëpunim me Ekipin Nacional të Kërkim-Shpëtimit, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe Klubin e Zhytjes “Trepça”.
Pas identifikimit të automjetit, njësitë pjesëmarrëse kanë arritur që ta nxjerrin atë nga liqeni rreth orës 12:40.
Policia ka bërë të ditur se rasti ishte raportuar më 14 tetor 2025, nga një qytetar, i cili kishte deklaruar se automjeti i tij, të cilin e kishte parkuar jashtë rrugës, pranë Liqenit të Ujmanit, në rrethana të paqarta kishte rënë në ujë dhe ishte fundosur.
Pas nxjerrjes nga liqeni, automjeti i është dorëzuar pronarit legjitim.





