Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën po vazhdon gjykimi të tre akuzuarit në rastin “Banjska”, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Në këtë seancë, ka nisur dëshminë zyrtari policor i dëmtuari Mirsad Kryeziu.
Në sallë tashmë janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë të Zvecanit.
Para tij, ditë më parë dëshmuan dy zyrtarët policorë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri.
Të mërkurën Kryeziu ka treguar se ka marrë dëmtime gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku.
“Gjatë sulmit të datës 23-24 shtator dëmtimet e mija kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar në atë kohë. Më saktësisht lëndimet qe kam pas kanë qenë në gjunjë dhe normalisht traumat psikologjike siç janë gjatë breshërive të armëve dhe sulmeve të ndryshme. Atë ditë ishim në ndërrim 24 orësh dhe pajisjet tona ishin pajisje policore që i mbanin zakonisht, sot e kësaj dite”, ka thënë ai.
Në dëshminë në Themelore, Kryeziu ka treguar se si kishte parë të gjakosur rreshterin Bunjaku dhe se si kishte nisur ta tërhiqte, ai tutje ka thënë se Bunjaku ishte plagosur në fyt.
“Kur e kam hapur derën, në ato momente kam dëgjuar një shpërthim dhe kam filluar gjuajtjen në drejtim të pozicioneve të mija. Për një moment jam larguar nga kamioni dhe jam nisur në drejtim të policëve. Gjatë shkuarjes kam vërejtur se njëri nga pjesëtarët tonë, që ishte Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me gjak, sepse detonimet që ishin bërë nga grupi nëse mund ta quaj terrorist, ai ishte i plagosur në fyt dhe gjakderdhja ishte e madhe. Ju afrova afër po e kisha të pamundur t’i ndihmoj sepse në drejtimin tonë gjuajtjet ishin të parreshtura. E kam tërhequr Afrimin nga vija dhe kam filluar të gjuaj në drejtim të fshatit që ata ishin te vendosur edhe në brendësi të fshatit edhe në pjesën e Manastirit. Gjatë gjuajtjes sime me armë filluan edhe kolegët e tjerë që të gjuanin në drejtim të tyre. Pasi ishte aty njëri nga kolegët tanë që e pata lënë në veturë, kam kërkuar nga ai që të afrohet dhe ta largojmë rreshterin. Aty më ka treguar se edhe një pjesëtar tjetër i yni është i plagosur”, ka thënë ai.
Mirsad Kryeziu ka thënë se armët që grupi terrorist në Banjskë i ka përdorur kundër Policisë së Kosovës mund të organizohen vetëm nga struktura ushtarake. Ai ka thënë se këtë e bazon në përvojën e tij të luftës.
“Armët që janë përdorur kanë qenë armë prej altilerisë së lehtë e deri tek më e rënda. Po e them se të gjitha armët që sulmohen dhe përdoren nga një organizim që këtë e them me plot besim, janë organizuar vetëm nga struktura ushtarake. Nga përvoja ime e punës dhe luftës i njoh të gjitha llojet e armëve, funksionin dhe përdorimin e tyre”, ka thënë ai.
Polici po ashtu ka thënë se terroristët kanë qenë grup i strukturuar dhe i dirigjuar nga struktura ushtarake. Sipas tij, kjo dëshmohet nga përgatitjet dhe koha e zgjedhjes për ta kryer sulmin.
“Qëllimi i sulmuesve ishte, sipas meje, sepse nuk është që ka ndodhur hera e parë. Gjatë gjithë kohës sa qëndronim në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk ishim te dëshiruar nga po të njëjtit pjesëtar që janë të organizuar për gjëra të tilla. Mund të them lirisht që ka pasur edhe sulme të tjera që janë sulmuar patrullat e policisë, gjatë detyrave të tyre. Pse është ky pozicion, sepse ky grup ka qenë i strukturuar mirë dhe i dirigjuar mirë nga struktura ushtarake. Pozicioni i tyre ka qenë jashtëzakonisht i përshtatshëm për sulmim të policisë, për këtë e kanë zgjedhur Banjskën dhe Manastirin, qe kishte pelegrinë atë ditë, duke i përdorur edhe ata, duke u vendosur në pozita të mira dhe të favorshme. Është e qartë se ata ishin të strukturuar mirë, që nëse nuk kanë sukses, të mund të largohen. Njerëzit që nuk i njohin strukturat ushtarake, do të përdornin tjetër pozicion”, ka shtuar ai.
Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.