Ka një javë që autoritetet kosovare kanë nisur punën në zonat malore në veriun të Kosovës.
Kjo meqë në dy lokacione, u identifikuan mbetje mortore që i përkasin shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit.
E të dy këto fshatrat, Kalludër e Vogël dhe Jabukë, ndodhën në thellësi të Zubin Potokut.
Për këtë, gisht në fshehjen e këtyre trupave, sipas Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur, ka vet shteti serb.
Dëshmi për këtë, sipas Ahmet Grajçevcit, janë deklaratat e fundit të numrit dy në qeverinë e Serbisë.
“Nëse ne i dëgjojmë deklaratat e serbëve, udhëheqësish Serbe, Ivica Daçiç ku kërcënon se na nuk jemi në zor prej shqiptarëve, prej kroatëve, prej boshnjakëve, por jemi në zor prej serbëve tanë që po i tregojnë varrezat masive. Do të thotë që një shtet që nuk e ka vullnetin ta gjej edhe të vdekurin, po ai shtet nuk mund të ec përpara dhe nuk i falet lehët ajo”, u shpreh kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit, Ahmet Grajçevcit.
Grajçevci thotë se veriu i Kosovës, për gati 3 dekada, mund të ketë shërbyer si vend për fshehjen edhe të varrezave të tjera masive.
“Unë dyshoj edhe për dy vendet e tjera, por emrin nuk e di se si t’ia ngjes se vetëm nga forma që e ka ai vend është plot dyshime. Ndoshta ata urdhrin që e kanë bo për me i çu për Brevernik ndoshta janë diku në brendësi të veriut. Dhe të gjitha grupet kriminale të serbeve që kanë qenë në veri na kanë pamundësua që në atë pjesë të hulumtohet” , tha tutje ai.
E ngjarjet e fundit në Serbi, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, tregojnë hezitimin e shtetit serb, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
“Është e qartë se Serbia është duke hezituar me dhënë informata mbi lokacionet e varrezave masive. Një nga provat më këmbëngul se fakti që para dy-tre ditëve e kanë arrestuar duke e akuzuar për spiunazh personin që si duket ka dhënë informacione mbi këto varreza”, ka thënë Blakaj.
Për veprimet e fundit të shtetit serb dhe mos-bashkëpunimin për zbulimin e varrezave masive, Tëvë1 ka pyetur edhe në Bashkimin Evropian.
Nga BE, nuk i kanë komentuar këto çështje.
Por në përgjigjen e tyre, u tha se ekspertët e EULEX-it po marrin pjesë aktivisht në operacionin e zhvarrimit.
Ndërsa sipas BE-së, ndihma për zbardhjen e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur mbetet një element shumë i rëndësishëm i Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në bazë të Deklaratës së vitit 2023 dhe i kryesuar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë, ekziston për të mbikëqyrur zbatimin e kësaj deklarate, për të ndihmuar në sqarimin e fatit të personave që ende figurojnë të zhdukur dhe për t’u ofruar familjeve dhe të afërmve të tyre qartësi dhe mbyllje të kësaj çështjeje”, kanë thënë nga BE-ja.
Ndryshe, plani për fshehjen e krimeve, doli nga një mbledhje e kabinetit të ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.
Kjo u zbulua nga dorëshkrimi me moton “Nuk ka kufoma, nuk ka krim” të ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Obrad Stevanoviq.






