Dokumenti qendror rreth të cilit po zhvillohen diskutimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tani më ka marrë formë të prerë.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për Televizionin Publik, ka thënë se plani franko-gjerman, më nuk mund të negociohet, ai tani ka formën merre ose lëre.
E profesori universitar Milazim Krasniqi, thotë se qasja “merre ose lëre” për zgjidhjen e problemeve është tipik amerikane.
“Në të vërtetë teknika merre ose lëre është tipik amerikane, është përdor në konferencën e Dejtonit, në Rambuje, është përdorur në marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës dhe e paketojnë evropianët por prapa është firma amerikane. Dhe kjo është me rëndësi me ditë publiku, se amerikanët përdorin këtë teknikë. Ata punojnë shumë për ta identifikuar problemin, pastaj e krijojnë një proces lidhur me zgjidhjen e problemit dhe kur e gjejnë një zgjidhje që ata mendojnë që është e duhura, ata e ofrojnë dhe nëse refuzojnë thonë OK, merre ose lëre dhe pastaj nëse refuzohet pasojnë sanksionet”, vlerësoi Krasniqi.
Duke komentuar formatin e planit franko-gjerman, që tashmë po merr emrin si plani evropian, Ben Andoni thotë se marrëveshja eventuale e arritur nga plani evropian, do të vazhdojë t’i lë Kosovën dhe Serbinë me probleme.
“Unë besoj që ngërçi Kosovë – Serbi do të vazhdojë, por ky është një hap shumë i madh të paktën për staturat e Vuçiq fillimisht dhe të zotit Kurti, për t’i dhënë një zhvillim të ri dialogut Kosovë – Serbi. E para që Kosovën do e lehtësoi nga presionit shumë i madh serb, unë besoj që Serbia indirekt do të vazhdoi ta pengoi rrugën e Kosovës, ndërkohë që Kosovës do i bëjë mirë staturës së zotëri Kurti, por ndërkohë do i prishi shumë punë në mjedisin e brendshëm, për sa i përket përshtatjes të asociacionit, që me sa duket ky pakt e bënë gati fakt të kryer”, u shpreh Andoni.
Që nga vera e vitit të kaluar Kosova dhe Serbia kanë dërguar disa herë komentet e tyre për planin franko-gjerman, i cili tanimë ka marrë formën e tij përfundimtare dhe pret pranimin ose jo zyrtarë të Kurtit e Vuçiqit.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.









