Policia e Kosovës, ka mohuar se ka rrahur dy persona serbë, të cilët gjatë orës së pasdites kanë refuzuar të ndalë në rrugën Izvor-Banjska.
Policia ka thënë se raportimet për rrahje ndaj tyre janë të pavërteta dhe se ata janë liruar pas kryerjes së procedurave të parapara me ligj.
“Vlen të potencohet se veprimet policore janë realizuar konform procedurave të parapara ligjore dhe në asnjë rast nuk ka pasur ndonjë sjellje jo profesionale policore. Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”.
Sipas PK-së pesë persona që po udhëtonin me dy motorë katër-rrotësh, nuk kanë respektuar urdhërat për ndalje.
Ku njëri motor me dy persona ka vazhduar duke u shmangur sinjalizimit policor për tu ndalur dhe ka ikur në një rrugë mali, kurse tjetri ka vazhduar shmangien në drejtim tjetër në një teren të pa përshtatshëm.
“ Por zyrtarët policorë janë vënë në përcjellje këmbë, pasi që ka qenë tereni i pa përshtatshëm për të ikur larg, dhe diku rreth 150 metra nga rruga kryesore kanë hasur motorin në fjalë dhe dy personat. Kurse në një distancë prej rreth 350 metra, zyrtarët tjerë policorë kanë hasur personin e tretë, i cili kishte ikur në këmbë. Në atë lokacion është paraqitur edhe një femër, e cila ka deklaruar se është nëna e dy personave të ndaluar nga policia. Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit (motorit), si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar”, thuhet në komunikatë.







