Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi.
Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje.
“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më pare, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”, është shprehur ai.
Petritsch, ka folur edhe për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës, ku ka thënë se presidenti serb nuk do ta përsërisë gabimin e Millosheviqit.
“Me bindje, them se Vuçiq nuk është prej atyre që do ta përsëriste gabimin e Millosheviqit për të hyrë në luftë kundër NATO-s, sepse çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n për kundërpërgjigje dhe këtë e di Vuçiq. Po ju them me bindje të plotë dhe ju them se në Kosovë nuk mund të ketë luftë ashtu siç ndodhi me Millosheviqin. Por unë e them me brengë se incidente të tilla si ai në Banjskë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa. Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij vit, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri”, ka thënë ai.