Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershor ngjallën pakënaqësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Madje disa nga figurat kyçe të kësaj parti tash e disa ditë janë duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Mirëpo ky i fundit, bëri të ditur se nuk do të realizohet kjo kërkesë e bashkëpartiakëve të tij.
Kësisoj brenda LDK-së janë krijuar dy grupe, ata të cilët nuk e dëshirojnë më si udhëheqës Abdixhikun dhe grupi që po qëndron afër kryetari të partisë.
E pjesë e këtij të fundit është edhe ish kandidati për deputet Niq Krasniqi, i cili është që Abdixhiku të vazhdoj punën e tij në krye të partisë.
“Ka pas një votim në LDK, i cili e ka vërtetuar prap që kush është kryetari në LDK dhe ja kanë dhënë përgjegjësin për organizimin e zgjedhjeve që erdhën pa dëshirën e jo vetëm LDK-së, por asnjërës parti që ishte në opozitës”, tha anëtari i LDK-së, Niq Krasniqi.
E si kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit, Krasniqi thotë se kishte vërejtur se disa degë nuk e kishin mbështetur shumë rrugëtimin e Lumir Abdixhikut në zgjedhjet e fundit.
“Në disa komuna kam has një tjetër disponim, në komuna tjera kam has diskonim tjeter, përgjegjësi për disponimin e votuesit të LDK-së e kanë të gjithë së bashku përfshirë edhe mu që kam qenë kandidat për deputet”, tha ai.
Megjithatë, sipas profesorit universitar, Fatos Rushitit, LDK duhet të ndryshoje lidërshipin e tij.
“Unë mendoj që LDK duhet të i hyjë një gare serioze të brendshme dhe të nxjerrë një lidership të ri, dhe ta vendos Vjosa Osmanin në një lidership të ri të ardhshëm nuk do të thotë që Vjosa Osmani të jetë në një lidership të ardhshëm por të jetë pjesë e një fryme të re e cila do ta sfidojë Vetëvendosjen”, tha profesori universitar, Fatos Rushiti.
Ndërsa në diskutimet me Vetëvendosje sipas Rushitit, LDK duhet të fokusohet të çështja e presidentit.
“LDK duhet të hap dialog serioz për çështjen e presidentit, të hyjë garës së brendshme de të nxjerrë lidership të ri, por unë mendoj që para se të flas për presidentit duhet të nxjerrë një lider të ri dhe ta qes në tavolinë çështjen e presidentit me Vetëvendosjen”, tha ai.
Dorëheqjen e Abdixhikut e kanë kërkuar publikisht kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe së fundmi deputetët Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, e figura të tjera të rëndësishme të partisë.






