Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në seancën së cilës u miratuar buxheti për kryeqytetin për vitin 2025.
Në këtë seancë shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla shkuli mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Poashtu sipas një video të publikuar në media dëgjohet asamblistë të VV-së duke diskutuar mbi çështjen e Badocit, e ku u përmend edhe kryeministri Albin Kurti. Asamblistët e VV-së, Edmond Azemi e Berat Lahu, qëndruan në sallë për të bërë kuorumin gjatë votim të buxhetit.
Krejt këto sipas LDK-së shpalosin kriminalitetin e LVV-së.
“Skandali i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili zbulon pazare të brendshme, të ulëta e të turpshme, të asamblistëve të këtij subjekti në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shpalos qartazi kriminalitetin e LVV-së dhe përbuzjen e hapur që i bën kjo lëvizje kryeqytetit dhe qytetarëve tanë. Këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për “ndryshim” e “transparencë”, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve”, thuhet në reagim e LDK-së.
Sipas kësaj partie, është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre.
“Ky skandal demonstron qartazi se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste, që dëmtojnë rëndë interesin publik.U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse të veprojnë pa hezitim dhe të hetojnë deri në fund çdo detaj të kësaj shkelje brutale të standardeve etike dhe ligjore. Vetëm duke dënuar qartë e fort këtë lloj keqpërdorimi mund të mbrohet interesi i qytetarëve”, thuhet në reagim.
Për veprimin e tij, Sveçla është ndaluar 48 orë në polici