Të enjten u rikthyen sërish në Kuvend.
Pas një sërë diskutimesh mes deputetësh, nuk vonoi shumë e i pari i Ekzekutivit e mori fjalën.
Kryeministri Albin Kurti, me të nisur fjalimin, pati një koment për dekretin e presidentes Osmani.
“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete të presidentit dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet… ajo çka kërkohet prej nesh janë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjenda që përmirëson jetën e qytetarëve – këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”, tha Kurti.
Disa fjalë, Kurti i pati edhe për mediat.
Këtu, ai zgjodhi t’i rikthejë në diskutim përsëri raportimet, sipas tij, të financimit të gazetarëve nga Serbia.
“Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm problem i etikes profesionale, ato janë kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hynë në mënyrë të padukshme, ajo nuk blen vetëm hapësirë mediatike, ajo blen ndikim, orienton narrativen dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit. Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë, ai është i manipuluar, edhe siç tregojnë raportimet ky manipulim po vjen nga armiqtë tanë por që fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë. Ne nuk kemi asnjë interes t’i kufizojmë mediat, përkundrazi, kemi interes që ato të jenë më të forta, të pavarura, hulumtuese e kritike”, tha Kurti.
E menjëhershme për këtë çështje ishte kundërpërgjigjja nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ndodhi një mashtrim dhe dua ta demaskoj. Kolegu që foli para meje është sa vjet në pushtet dhe mban përgjegjësi për çmimet, vjedhjen me energjinë, faturat që po na vinë, ky dhe qeveria juaj dhe nuk mund t’i ikni përgjegjësisë. Nuk mund të fshiheni pas çmimit tavan as asgjë sepse oligarkët tu kryeministër po blejnë e shesin energji çdo ditë, e po ju shtohen kompanitë njerëzve tuaj të afërt. Thotë po financohen mediat me thasë. Ky shpenzon më së shumti para duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët”, u shpreh Haradinaj.
Kjo situatë ngriti edhe tensione brenda sallës.
Reagim pati edhe nga zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.
Por kjo përplasje nuk ishte e vetmja gjatë seancës të së enjtes.
Opozita me pushtetin patën mospajtime edhe për energjinë.
Seanca u ndërpre pas katër orësh dhe pritet të vazhdojë javën e ardhshme.






