Ky dokument, ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në vend dhe më gjerë.
Profesori universitar Milazim Krasniqi, thotë se materiali i publikuara nga Akademia e Shkencave nuk ka asnjë metodologji shkencore dhe si e tillë duhet të largohet nga institucioni.
“E para ajo nuk është kurrfarë analize, por ajo është një pamflet politik ose një pashkfillë politike. Nuk ka asnjë lloj metodologjie shkencore e cila si me thanë vërehet në të, prandaj si e tillë ajo është e pavlefshme, bile edhe për raportet me Serbinë është e shkruar me skema të vjetra me shumë gjëra që janë të deplasuara. Ndërsa sa i përket aspekteve të brendshme është skandaloze, veçmas me qëndrimet për skenën politike dhe për ato që kanë ndodhur pasluftës, si e tillë besoj që do të duhej që definitivisht të shpallej, si me thanë të tërhiqet zyrtarisht nga akademia dhe njerëzit që e kanë hartu të marrin përgjegjësi ligjore”, ka vlerësuar Krasniqi.
E publicisti nga Shqipëria Ben Andoni, thotë se kjo analizë e Akademisë, do të dëmtoj raportet e Kosovës me vendet e saj mike.
“Gjëja e cila të bije në sy është një përsëritje e gjërave të përgjithshme të cilat janë të trajtuar me një metodologji shumë të vjetër. Ajo që shikohet në këtë dokument është një dokument i cili në një farë mënyre fut në përçarje Kosovën me Shqipërinë, por i krijon raporte aspak të mira edhe me Bashkimin Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Andoni.
Në hyrje, thuhet se kjo analizë ka për qëllim për t’ia tërhequr vëmendjen faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.