“Drenica i dha Fehmi Lladrovcit kuptimin e qëndresës, familja i dha mbrojtjen, lufta i dha emrin”, tha kryetari i Prishtinës, Përpara Rama, në ceremoninë përkujtimore me rastin e ditëlindjes së 70-të dhe 71-të të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë nën patronatin e Komunës së Prishtinës.
Kjo ceremoni u mbajt nën patronatin e kryetarit të Prishtinës.
“Drenica herët i dha atij kuptimin e qëndresës, familja i dha mbrojtjen, shkolla i dha formimin, lëvizja i dha drejtimin, burgu – provën, kurse lufta… lufta i dha emrin. Fehmiu studioi, u formua si intelektual, si atdhetar, si njeri. U përfshi në lëvizje, veproi në ilegalitet, u vu në shënjestër të regjimit jugosllav, u burgos dhe u dënua me 10 vjet burg. Kaloi nëpër qelitë e Prishtinës, të Gjilanit, Lepogllavës e të Stara Gradishkës”, tha Rama.
I pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përkujtoi sakrificën e heronjve duke thënë se pa gjakun e tyre, nuk do ta kishim lirinë.
“Një kënaqësi të jashtëzakonshme kur e dëgjova kryetarin e Prishtinës që ligjëron mbi tabanë e fëmijëve të Jasharëve. Pa gjakun e fëmijëve të Jasharëve… pa gjakun e Luan Haradinajt, Adrian Krasniqit, pa gjakun e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, pa gjakun e Rexhep Malës, tërë jetën nëpër burgje e Nuhi Berishës, Kosova dhe ne shqiptarët në tërësi nuk do ishim këto përvjetore”, tha Ahmeti.
Ndërsa, ish- kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj tha se qëllimi i UÇK-së është një rrugëtim i veçantë se si heronjtë tanë ia kushtuan jetën çlirimit të atdheut.
“Qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shumë i qartë. Është një rrugëtim i veçantë dhe, përtej kësaj, është i veçantë jo vetëm për shkak të qëllimit të popullit tonë për çlirim, por edhe mënyra se si ata ia kushtuan jetën e vet çlirimit të atdheut.
Prandaj, pranvera ose fillimi i vitit ’97 ishte tragjike, ishte e dhimbshme për UÇK-në. UÇK-ja mori disa goditje, edhe priteshin goditje të reja. Kishhte një rrezik, pra, që ato sulme ndaj UÇK-së, , burgosjet, të vazhdonin edhe me pasoja më të mëdha. Ndihej rreziku që sulmi i radhës mund të jetë në Prekaz”, u shpreh ai.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vëllai i Fehmi Lladrovcit, falënderoi të gjithë ata që ia mësuan atdhedashurinë.
“Sot domethënë dua të falënderoj dy gratë e mixhallarëve të mi që akoma jetojnë, të cilat ditë e natë shtruan bukë për shokët, për vite të tëra prej viteve ‘70 si erdhën në familjen tonë dhe shumë prej tyre sot janë dëshmorë heronj të Kosovës.
Dua t’i falënderoj domethënë dy mixhallarët e mi, Isën, i cili punonte në Gjermani dhe i kishte thënë Fejës: ‘Veç studio, sepse në Zagreb nuk është lehtë të kryesh fakultet, sa u përket financave, ekonomisë…’ me një fjalë. Dua me falënderu një mijë herë mësuesin dëshmor, i cili përpara na edukoi aq mirë dhe i cili ishte koleg i dëshmorit Fazli Grajçevci dhe bashkëveprimtar me të, e falënderoj shumë”, shtoi ai.
Bekim Jashari theksoi se heronjtë si Fehmi e Xhevë Lladrovci kanë vetëm ditëlindje.
“Për Fehmiun dhe Xhevë Lladrovcin, vitet dhe numrat thjesht humbin rëndësinë. Sot shënojmë shtatë dekada nga lindja e tyre, por prania e tyre në kujtesën tonë është më e gjallë se kurrë. Për njerëzit si ata, historia e ka një ligj të prerë: heronjtë kanë vetëm ditëlindje”, tha Jashari.
Rruga e Fehmi Lladrovcit nuk nisi në llogoret e luftës, por që në hapat e parë të rinisë së tij. I rritur në një familje, ku atdheu ishte i shenjtë dhe i frymëzuar nga mësuesi i tij, Fazli Grajçevci, ai nuk mori thjesht dije shkollore, por mori një mision.
Ai e kuptoi herët, nga shembulli i mësuesit të tij martir se përballë robërisë ekziston vetëm një rrugë: përballja pa asnjë kompromis.
Fehmiu dhe Xheva e mposhtën vdekjen dhe frikën shumë kohë para se të rrëzoheshin në fushën e betejës. Fehmiu e mposhti frikën që në qelitë e errëta, kur regjimi e dënoi me 10 vjet burg. Ai e dinte se përballë prangave që thyejnë trupin, qëndron gjithmonë ideali që çliron një popull.







