Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar verifikimi i votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në 17 komuna.
Sipas KQZ-së, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në këto komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamusha, Zveçan, Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë dhe Dragash.
KQZ ka bërë të ditur se janë procesuar gjithsej 3,357 kuti votimi nga 5,142 sa ishin në total për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale.
Deri më tani, janë verifikuar rezultatet për 1,689 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave, si dhe rezultatet për subjektet politike në 1,668 vendvotime nga zgjedhjet për kuvendet komunale.
“Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen tre aktivitete kryesore: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave; verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale; si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale. Rezultatet nga QKN-të po prezantohen në platformën e KQZ-së dhe publikohen vendvotim pas vendvotimi,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, sa i përket votimit jashtë Kosovës dhe votimit përmes postës, KQZ-ja ka nisur vlerësimin e mbi 32 mijë pakove me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 28,200, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,700./teve1.info/