Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se ka përfunduar protesta e radhës, e mbajtur këtë të dielë në Strasburg të Francës, në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në njoftimin zyrtar të postuar në Facebook, OVL-UÇK bëri të ditur se gjatë kësaj proteste janë dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku shprehen shqetësimet e organizatës lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.
“OVL UÇK vazhdon angazhimin e saj për drejtësi dhe respektim të të drejtave të luftëtarëve të lirisë”, theksohet në njoftim.
Në letër, OVL e UÇK thekson disa çështje kyçe që, sipas tyre, cenojnë drejtësinë dhe integritetin e procesit.
Në letrën dërguar anëtarëve të Asamblesë thuhet: “Ne do të dëshironim të tërhiqnim vëmendjen tuaj ndaj disa çështjeve kyçe dhe shqetësimeve në rritje lidhur me funksionimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC)”
Në pikën e parë, letra rikujton mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në përgjigje të raportit të vitit 2010 të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili përmbante akuza për trafikim organesh dhe krime të tjera serioze”
Një nga shqetësimet kryesore që OVL e UÇK ka shprehur përmes kësaj letre lidhet me natyrën e aktakuzave dhe kohëzgjatjen e paraburgimit.
“Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gati pesë vjet, pavarësisht dorëzimit vullnetar dhe bashkëpunimit të plotë me gjykatën, dhe të gjitha kërkesat për lirim me kusht janë refuzuar.”
Letra thekson gjithashtu mungesën e transparencës.
“Shumë seanca janë mbajtur të mbyllura për publikun. Shumë dëshmitarë janë anonimë dhe qasja e mediave është jashtëzakonisht e kufizuar”.
Një tjetër shqetësim madhor lidhet me burimin e provave.
“Provat kryesore burojnë nga institucionet e sigurisë së Serbisë… kjo ngre dyshime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në letrën e OVL e UÇK-së.
Në letër përmendet edhe çështja e konfliktit të interesit të ngritur në mars 2025.
“Përfshirja e prokurorit John Devaney, i cili më parë ka shërbyer si roje në njësinë e paraburgimit ku aktualisht mbahen të akuzuarit, ka nxitur dyshime serioze për standardet etike dhe paanshmërinë e procesit”
Në përmbyllje, OVL-UÇK i bën thirrje anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ndërmarrin veprime.
“Ne ju bëjmë thirrje t’i merrni këto shqetësime në konsideratë… në mënyrë që së bashku të sigurojmë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me Kosovën”.
Letra është nënshkruar nga kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, i cili rithekson se organizata mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të luftëtarëve të lirisë.








