Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave për përfitim të jashtligjshëm të mbi 304 mijë e 500 eurove, në emër të investimit në kriptovaluta, raporton teve1.info
“Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur në vazhdimësi, duke filluar nga mesi i vitit 2020 e deri më 12.10.2022, në Prishtinë dhe në vende të tjera në Kosovë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë mashtruar të dëmtuarit, përmes komunikimit në forma të ndryshme dhe emra të rrejshëm përmes rrjeteve sociale, duke i vënë në lajthim kinse do të përfitonin shuma të mëdha të parave, me qëllim të investimit në kriptovaluta në një platformë të emëruar GREEN-SKRILL, ashtu që të dëmtuarit kanë vepruar në dëm të pasurisë së tyre, duke iu dhënë para kesh dhe duke iu dërguar shuma të ndryshme të parave në emër të pandehurve në institucionet mikrofinanciare, çka me këto veprime të pandehurit kanë realizuar përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, dhe atë në shumën e përgjithshme 304,539.00€ (treqind e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e nëntë euro), me ç ‘rast të dëmtuarve iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm pasuror”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori i Shtetit, pas zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, hetimit financiar dhe ekspertizës financiare ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.C., R.S., L.G. dhe E.S., në drejtim të veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307, paragrafi 1 të KPRK-së.