Prej kohësh ndërmjetësuesit i kishin njoftuar Kosovën dhe Serbinë me përfitimet që mund të kenë në rast se e pranojnë e më pas zbatojnë Propozimin evropian për normalizim.
Madje Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të mërkurën ka deklaruar se nëse ecet tutje me zbatimin do t’i hapte rruga edhe njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin shtetin më të ri evropian.
Diplomati shqiptar Agim Nesho, thotë se disa nga vendet e BE-së mund ta njohin Kosovën shumë shpejtë.
“Nuk kishte një marrëveshje midis dy vendeve, por ishte një marrëveshje që të dy vendet bënë me Bashkimin Evropian… Në këtë marrëveshje unë mendoj që Kosova do të fitoj diçka, do të fitoj diçka ndoshta jo nga të pesë vendet, por të pesë vendet duhet ta njohin Kosovën … Njohja e pesë vendeve duhet te jetë e menjëhershme ky është një veprim që perëndimi mund ta bënte jo të lidhur me Serbinë, por për tu thënë atyre që Kosova është në të drejtën e saj, si një shtet sovran dhe i pavarur, por mendoi që një pjesë e tyre si Greqia, Rumania dhe të tjera, do ta njohin me njëherë si një akt për të treguar forcën e perëndimit, në një bashkëveprim që e ka provuar tashmë në krizën në Ukrainë. Do me thanë kemi një rezistencë te Spanja pak të më vonshëm”, tha Nesho.
Astrit Istrefi, nga Forumi Ballkanik thotë se përfitimet e Kosovës nga marrëveshja nuk mund të vijnë në një të ardhme shumë të afërt.
Palët janë zotuar për zbatimin e marrëveshjeve, por tani kanë mbetur edhe më pak se 1 muaj deri në krijimin e komisionit mbikëqyrës të zbatimit të marrëveshjes.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.







