Shkruan publicisti Kim Mehmeti
Shqiptarët e Maqedonisë shtiren sikur nuk e dinë se elitat maqedonase nuk duan që shteti i tyre të flasë edhe shqip.
Dhe, për këtë arsye, për ato elita, konflikti i vitit 2001 do të përfundojë vetëm atëherë kur të zhbëhet Marrëveshja e Ohrit dhe kur shqiptarët e këtushëm do të jenë, por nuk do të duken.
Shqiptarët e Maqedonisë bëjnë sikur nuk e dinë, por ata e kanë të qartë se kryeqendra e vërtetë e shtetit ku jetojnë nuk është Shkupi, por Beogradi, dhe se elitat maqedonase më parë do ta zhbënin shtetin sesa ta ndanin atë me shqiptarët.
Dhe, për këtë arsye, këto elita e vazhdojnë pjesën e dytë të konfliktit të vitit 2001 dhe duan që shtetin ta kthejnë aty ku ishte në vitet e nëntëdhjetë.
Shqiptarët e Maqedonisë shtiren se nuk e dinë, por ata prej kohësh e kanë kuptuar se e keqja e tyre nuk janë vetëm elitat maqedonase që ëndërrojnë serbisht, por edhe vasalët shqiptarë – si këta të sotmit të VLEN-it – të cilët janë “shkijet” më të rrezikshëm për shqiptarinë.
Shqiptarët e Maqedonisë – dhe jo vetëm ata – shtiren se nuk e dinë as përgjigjen e pyetjes se si është e mundur që një popull që nuk mund të mbushë as një autobus dykatësh të tallet me gjuhën e dhjetë milionë shqiptarëve?!
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut – pa të cilët asaj do t’i ngatërroheshin anët e botës – shtiren se shumëçka nuk shohin dhe nuk dinë, sepse e kanë kuptuar se, përderisa pas BDI-së qëndron Piktori e pas VLEN-it, që i ktheu në kohët e Rankoviqit, Kurti, pas tyre nuk qëndron as Shqipëria, as Kosova, por vetëm qarqet policore dhe politike maqedonase.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info




