Makineria e rëndë, u kthye sërish të enjten.
Këto të fundit, erdhën për ta përfunduar punën, të cilën nuk arritën të bëjnë të hënën.
Cak i tyre është shtëpia e familjes Maxhuni, në afërsi të cilës po kryhen punimet në Rrugën “A”.
Ndryshe nga tri ditë më parë, puna e ekipeve komunale për rrënimin e shtëpisë nisi menjëherë.
E gjithë ngjarjen nga afër në gjendje të rënduar emocionale, e ndoqën pronarët e shtëpisë.
“Unë që një vit e ngrisë zonin dhe të gjithë mediet dhe opinionin publik e dinë të vërtetën, të vërtetën nga ana ime. Kjo se çka po ndodhë sot është padrejtësi shumë e madhe. E drejta e banimi është e garantuar me ligj edhe në Kushtetutën e Kosovës sot më u rrënu dhe më u cënu kjo e drejtë. Tash prej këtij momenti ja la në dorë vetëm drejtësisë. Besoj në drejtësi”, tha pronarja e shtëpisë, Shqipe Berisha – Maxhuni.
Por, derisa shtëpia po iu rrënohej para syve, u përkeqësua edhe gjendja e kryefamiljares.
Për këtë këtu u deshtë edhe intervenimi i ekipeve mjekësore.
E pas pak minutave këtu erdhi edhe vëllai i pronarit të shtëpisë.
Ky i fundit kërkoi të afrohej më afër vendit ku po rrënohej objekti.
“Qysh të doket ty më ardh më ta rrëzua shtëpinë, i keni vendosur këta shirita thu se po e bëni namin.. Veç po du me incizua o vëlla shkurt shqip kurgjo tjetër.. Unë po të respektoj ty, respektomë edhe ti mu..”, tha ai.
Pas më shumë se dy orë, u shemb edhe investimi 26 vjeçar i kësaj familje pesë-anëtarëshe.
Për të, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të martën deklaroi se prona ku është ndërtuar shtëpia, i takon komunës.
Ndërsa në fund, familja Maxhuni thonë se do të ndjekin rrugët ligjore në rast se nuk kompensohen për dëmin e shkaktuar.






