Leutrim Mujaj, Arlind Kabashi, Agron Nikçi, Kaltrim Berisha, Dardan Husaj dhe Gazmend Husaj, janë suspenduar deri në një vendim tjetër nga Federata e Volejbollit të Kosovës, përkatësisht Komesari i Garave.
Gjashtë volejbollistët e skuadrës së Pejës janë përfshirë në rrahjen e disa tifozëve të Ferizajt të dielën e shkuar pas finales të Kupës së Federatës, të luajtur në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
FVK-ja, ka thënë se në përputhje me rregulloret, Komesari i Garave ka vendosur që gjashtë lojtarët e përfshirë në incident të suspendohen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga federata, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.
Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor, i cili pret deponimin e deklaratave nga të gjithë lojtarët e përfshirë, si pjesë e procesit hetimor që do të çojë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar.